Ndërron jetë veterani që barti armatimin për nevojat e UÇK-së

Ka ndërruar jetë veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramadan Zymeraj nga Guri i Kuq.

Për vdekjen e tij është shprehur i pikëlluar kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Përmes një postimi në Facebook, Latifi ka thënë se Zymeraj ka dhënë kontribut të çmuar në luftën për liri, duke marrë pjesë edhe në bartjen e armatimit nga Shqipëria për nevojat e UÇK-së.

“Në shtator të vitit 1998, u arrestua në malet e fshatit të tij, i veshur me uniformën e UÇK-së, ndërsa bashkë me të u arrestua edhe djali i tij, Blerimi. Gjatë qëndrimit në burgun e Dubravës, përjetoi masakrën ku u plagos rëndë në të dyja këmbët, duke mbetur invalid i luftës. Sot u nda nga ne një luftëtar i lirisë, një njeri i ndershëm dhe një prind shembullor, i cili me mund e sakrificë rriti 8 djem dhe 3 vajza. Familjes Zymeraj, bashkëluftëtarëve, miqve dhe të afërmve, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta! Qoftë i paharruar kujtimi për bacën Ramadan!”, ka shkruar tutje ai.

Mërgimtarja nga Kosova humb jetën në një aksident

Në një aksident trafiku në Francë, më 22 qershor 2026, raportohet se ka humbur jetën Besire Kolgeci-Baraliu nga fshati Bukosh.

Siç raportojnë mediat lokale, duke cituar familjarët, në aksident janë lënduar edhe bashkëshorti i saj dhe dy djemtë, të cilët po marrin trajtim mjekësor në një spital në Bazel.

Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë njoftim nga kryetari i kësaj komune.

Qeveria në detyrë mblidhet sot, ky është rendi i ditës

Sot mbahet mbledhja e Qeverisë në detyrë të Kosovës, ku në rend dite janë 14 pika.

Ndër to përfshihen shqyrtimi i kërkesave për shpronësim për interes publik në kuadër të projekteve rrugore, rialokimi i mjeteve buxhetore në disa ministri, emërimi i Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe nisma për lidhjen e një marrëveshjeje granti për forcimin e sistemit shëndetësor.

Gjithashtu, në këtë mbledhje pritet të shqyrtohen edhe kërkesat e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si dhe çështje të tjera nga fusha e përgjegjësive qeveritare.