Vrasjet dhe vetëvrasjet në Kosovë vazhdojnë të jenë shqetësim serioz për sigurinë dhe shëndetin publik në vend.
Ato mbeten fenomene që ndikojnë thellë në komunitete dhe familje, duke kërkuar ndërhyrje dhe politika efektive për parandalimin dhe adresimin e shkaqeve që i nxisin.
Statistikat e fundit të Policisë së Kosovës tregojnë ndryshime në shifrat e vrasjeve dhe vetëvrasjeve gjatë vitit 2024 dhe 2025.
Në statistikat e Policisë bëhet e ditur se gjatë periudhës janar–korrik të vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 8 raste të vrasjes apo vrasjes së rëndë, krahasuar me 10 raste të tilla të evidentuara në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Një ulje e ndjeshme është shënuar edhe në numrin e vetëvrasjeve, ku nga 19 raste të regjistruara gjatë janar–korrik 2024, këtë vit janë evidentuar 11 raste.
Në anën tjetër, konfiskimi i armëve ilegale ka shënuar rritje.
Mbi 1 mijë armë u konfiskuan nga Policia e Kosovës për shtatë muaj
Bazuar në statistikat e Policisë, gjatë shtatëmujorit të parë të vitit 2025, Policia e Kosovës ka konfiskuar gjithsej 1,039 armë, krahasuar me 924 armë të konfiskuara në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Gjithashtu, është rritur edhe sasia e municionit të konfiskuar, nga 18,307 copë në vitin 2024, në 18,606 copë në vitin 2025.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime të shtuara operative në të gjithë vendin me qëllim të identifikimit dhe konfiskimit të armëve që mbahen pa leje, si dhe për parandalimin e veprave penale që cenojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Sipas Policisë, armët ilegale mbeten një kërcënim serioz për shoqërinë, pasi në raste të shumta janë përdorur në incidente të rënda, përfshirë edhe vrasje.
“Policia e Kosovës, në kuadër të përkushtimit të saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ka ndërmarrë veprime të shtuara operative në të gjithë vendin me qëllim të identifikimit dhe konfiskimit të armëve që mbahen pa leje, si dhe parandalimin e veprave penale që cenojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Armët ilegale vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz për shoqërinë tonë. Rastet e fundit kanë dëshmuar se armët pa leje shpesh përdoren në incidente të rënda kriminale, përfshirë vrasje dhe tentativa për vrasje. Si reagim ndaj kësaj, Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet, bastisjet dhe operacionet në terren, duke konfiskuar armë të ndryshme dhe duke iniciuar procedurat ligjore ndaj personave të përfshirë.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe të raportojnë çdo informacion që lidhet me posedimin apo përdorimin e armëve pa leje. Informacionet mund të dërgohen në mënyrë konfidenciale dhe janë thelbësore për parandalimin e krimeve dhe për garantimin e një ambienti të sigurt për të gjithë“, thuhet në përgjigjen e Policisë dhënë “Front Online“.