Kryeprokurori mbledh kryeprokurorët, kërkon hetime për korrupsionin e nivelit të lartë

Kryeprokurori i ri i Shtetit ka kërkuar që brenda 100 ditëve të para të ndërmerren veprime të menjëhershme në trajtimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar, shpëlarjes së parave dhe sigurisë në trafikun publik.

Zejnulla Gashi shpalosi sot prioritetet kryesore për 100 ditët e para të mandatit si Kryeprokuror i Shtetit, në një takim të kolegjiumit me kryeprokurorët e prokurorive përkatëse.

Takimi është mbajtur sot në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit në Prishtinë.

Siç njoftoi Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, gjatë adresimit të tij, Gashi i njoftoi kryeprokurorët me prioritetet kryesore për 100 ditët e para të mandatit që, sipas tij, kërkojnë veprime të menjëhershme institucionale.

Në mesin e prioriteteve të listuara janë “zhvillimi i hetimeve financiare krahas hetimit dhe ndjekjes penale në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar, shpëlarjes së parave dhe krimeve të tjera të rënda”.

Në listën e prioriteteve janë përfshirë edhe “ndjekja penale ndaj personave përgjegjës që rrezikojnë sigurinë në trafikun publik”.

Në listë janë përfshirë edhe “siguria e qytetarëve, luftimi i armëmbajtjes pa leje dhe luftimi i narkotikëve, mbrojtja e pronës së qytetarëve, siguria ekonomike dhe juridike e qytetarëve dhe subjekteve që ushtrojnë veprimtari ekonomike dhe Ttrajtimi i rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtja e viktimave”.

Në takim nuk mori pjesë Blerim Isufaj, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, i cili është sulmuar në vazhdimësi nga pushteti qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje.

Isufaj, po ashtu ndodhet në proces gjyqësor me Këshillin Prokurorial të Kosovës për tërheqjen e nominimit të tij për Kryeprokuror të Shtetit.

Përfaqësues i Prokurorisë Speciale në këtë mbledhje ishte Valdet Gashi, zëvendëskryeprokuror i kësaj prokurorie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *