Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli po synon themelimin e një subjekti të ri politik me të cilin do të kandidonte në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
I kontaktuar nga IndeksOnline, ai ka thënë se po punojnë për formimin e një subjekti të ri politik, ndryshe nga partitë aktuale.
“Nëse mundemi me u përgatit me grupin tonë. Jemi duke vlerësuar se ku kemi arritur me përgatitje tona. Mund të them se jemi për një subjekt që do i prin misioni e jo njeriu. Kulti i individit kemi vlerësuar se ia ka zënë frymën demokracisë”, ka thënë Humolli.
Deputeti i pavarur, nuk ka zbuluar tani për tani se kush është pjesë e këtij grupimi politik. Megjithatë ka thënë se ka veshtirësi, por që jo me çdo kusht do të hyjnë në garë, pa u krijuar parakushtet për të pasur sukses.
Krejt në fund, ai ka thënë se ka pasur oferta nga partitë tjera për të hyrë në listën e tyre, por që ka refuzuar, pasi është i interesuar ndryshe nga partitë aktuale.
Humolli në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, por pas disa pakënaqësive kishte kaluar si deputet i pavarur.