Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka paralajmëruar se inkursioni 12-minutësh i avionëve ushtarakë rusë në hapësirën ajrore të Estonisë është një sinjal i qartë se Rusia është “e përgatitur për të përshkallëzuar më tej” veprimet e saj ushtarake në Evropë.
Në një deklaratë për Sky News, Sybiha u bëri thirrje vendeve të Evropës Lindore të bashkëpunojnë më ngushtë me Ukrainën, duke përfituar nga përvoja e saj unike në përballjen me sulmet ajrore ruse.
“Asnjë vend tjetër nuk ka ekspertizën për t’iu kundërvënë sulmeve të tilla ajrore të kombinuara në shkallë të gjerë. Ne jemi të përgatitur ta ndajmë atë me partnerët tanë që përballen me kërcënime në rritje ruse në hapësirën e tyre ajrore”, tha Sybiha.
Ministri gjithashtu theksoi rëndësinë e integrimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore mes Ukrainës dhe aleatëve evropianë, si një strategji për të mbrojtur hapësirën ajrore të përbashkët.
“Gjithashtu ka kuptim të kombinohen sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase dhe aleate dhe të mbrohen së bashku qiejt evropianë mbi Ukrainën dhe vendet e tjera,” u shpreh ai.



