Eksperti i sigurisë, Esad Çollaku në emisionin “Kosova Today” ka thënë se dronët serbë përshkojnë qiellin e Kosovës pothuajse çdo ditë e çdo natë.
Ai shton se është shqetësuese që institucionet përkatëse të Kosovës, kanë heshtur deri më tani, transmeton Klankosova.tv.
“Këto fluturime që po përmenden tani me dronë, të them të drejtën ndodhin gati thuajse çdo ditë e çdo natë”, tha ndër të tjera Çollaku.
Ky deklarim i Çollakut vjen pasi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pohuar se hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë serbë.
”Shiheni, në vazhdimësi ne kërcënohemi nga Serbia. Tash kohën e fundit po besoj që tashmë e dini që ka një lëvizje të paautorizuar apo shkeljes së hapësirës sonë ajrore përmes dronëve të cilët kohë pas kohe qarkullojnë apo shkelin hapësirën tonë ajrore”, deklaroi ai në 60 minuta në KTV.
Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi thotë se këta dronë dyshohet se kanë filmuar burgun e sigurisë së lartë, dhe kazerëm e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Nuk e di pse deri tani institucionet tona kanë pritur ta konfirmojnë një gjë të tillë, ndoshta për shkak të koordinimit që e kanë me KFOR-in”, u shpreh Elezi në emisionin “Kosova Today”.
Elezi thotë se mbetet shqetësim mosndërmarrja e veprimeve nga institucionet e Kosovës, për sigurinë ajrore.
Profesori Muhamet Kelmendi, thotë se Serbia është duke deklaruar publikisht se ka për qëllim të ripushtojë Kosovën.
“Vuçiqi tha se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë në OKB”, tha tutje Kelmendi.
Ndryshe, Klankosova.tv ka dërguar pyetje në KFOR për të marrë detaje lidhur me këtë çështje, megjithëse është ende në pritje të përgjigjeve.



