Rama godet Çekun: Mjerë ky popull për ju, e bllokoi Prishtinën, tash edhe mësimin

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ministrin e Arsimit, Hajrulla Çeku, duke e akuzuar se nuk ka arritur t’ua sigurojë nxënësve tekstet shkollore para fillimit të vitit të ri mësimor.

Rama deklaroi se 1 shtatori po afrohet, ndërsa nxënësit ende nuk e kanë të garantuar mjetin bazë për mësim – librat.

“Si ministër i Arsimit, e bllokoi edhe procesin mësimor. 1 shtatori po vjen dhe nuk arriti t’ua sigurojë nxënësve mjetin bazë të mësimit, librat”, shkroi Rama në Facebook.

Ai hodhi kritika ndaj Çekut edhe për periudhën kur ky i fundit drejtonte Ministrinë e Kulturës, duke pretenduar se kishte bllokuar zhvillimin e Prishtinës përmes një draftdokumenti për trashëgiminë kulturore.

Rama përmendi gjithashtu renovimet e zgjatura në Teatrin Kombëtar dhe Muzeun Kombëtar, duke thënë se Kosova prej vitesh ka mbetur pa këto dy institucione të rëndësishme kulturore.

Sipas tij, një gjeneratë e studentëve të Akademisë së Arteve i ka nisur dhe përfunduar studimet pa pasur mundësi ta vizitojë Teatrin Kombëtar, për shkak të renovimit katërvjeçar.

“Kudo që janë këta, vetëm një punë dinë ta bëjnë – të bllokojnë. Mjerë ky popull për ju. Qe gjashtë vjet vetëm përralla jeni duke treguar”, përfundoi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *