Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se operacioni i sotëm policor në Komunën e Zubin Potokut dhe të Zveçanit, është zhvilluar në kuadër të një hetimi lidhur me vrasjen e zyrtarit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë ( EULEX ) A.S., me qëllim të verifikimit të informatave dhe identifikimit të mundshëm të provave relevante.
Siç bëhet e ditur në komunikatë, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë kryer bastisje në dy lokacione në Zveçan dhe në shtatë lokacione në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to”, “vrasje të rëndë”, si dhe “sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Gjatë operacionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar në Polici shtatë persona, dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa, gjatë zbatimit të urdhërit për bastisje, si një hap i rëndësishëm procedural në kuadër të një hetimi që është ende në zhvillim, janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale sikurse: dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente dhe pajisje elektronike të ndryshme.
“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cënojnë sigurinë, ligjin dhe rendin në Republikën e Kosovës”, theksohet në komunikatë.



