Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30-ditësh për Mahmut Hoxhajn, të dyshuarin për tentimvrasjen e Basri Gashit dhe Alfred Ukajt. Vendimi është marrë në seancën ku është mbajtur në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, për shkak të gjendjes së rënduar të të dyshuarit.
Prokuroria në Pejë, në dosjen të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, specifikon edhe numrin e rasteve të të dyshuarit për tentimvrasje. Sipas dosjes, bazuar në databazën e Policisë së Kosovës, Hoxhaj rezulton të jetë i përfshirë në 43 raste penale.
“Kësaj duhet shtuar edhe faktin se bazuar në informacionet e personit Mahmut Hoxhaj, i cili nga data baza e Policisë së Kosovës rezulton të jetë i përfshirë në 43 raste penale, prej të cilave si i dyshuar në 25 raste të ndryshme”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin për caktimin e masës së paraburgimit.
Prokuroria tutje shton se i dyshuari kishte planifikuar arratisjen pas sulmit, meqë kishte lënë veturën ndezur para kryerjes së veprës së dyshuar penale.
“Po ashtu duke e pasur parasysh faktin se i njëjti kishte planifikuar arratisjen e tij pas kryerjes së veprës penale duke e lënë veturën e ndezur me qëllim të arratiset, mirëpo si rezultat i reagimit me kohë të zyrtarëve policor i njëjti është arrestuar në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale”, thuhet në dosje.
Pesë persona ishin arrestuar në vitin 2019 për vrasjen e 23 vjeçarit Fazli Hoxha dhe plagosjen e dy vëllezërve të tij. Pikërisht ky rast dyshohet të jetë zanafilla e rastit të sotshëm në Pejë, ku u plagosën dy persona.
Njëri prej familjarëve dyshohet se për hakmarrje ka plagosur dy persona pasi Gjykata Themelore në Pejë shqiptoi 44 vite burgim për pesë të akuzuarit për vrasjen që kishte ndodhur më 2022.
Në aktgjykimin e shpallur, Basri, Ardit, Arben dhe Bahri Gashi janë liruar nga akuza për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.
Insajderi raportoi se motivi i këtij sulmi ishte hakmarrja
Si nëpër filma: Momenti kur i dyshuari del nga garazha dhe i plagosë dy persona



