Uragani “Melissa”, i cili pritet të jetë më i fuqishmi që ka prekur ndonjëherë Xhamajkën, po afrohet me shpejtësi drejt vendit të Karaibeve, duke kërcënuar me përmbytje katastrofike dhe rrëshqitje toke.
Me erëra që arrijnë deri në 280 kilometra në orë, uragani i Kategorisë 5 – niveli më i lartë në shkallën e fuqisë së stuhive tropikale – ka shkaktuar tashmë shtatë viktima: tre në Xhamajkë, tre në Haiti dhe një në Republikën Dominikane.
Qendra Kombëtare e Uraganeve (NHC) e Shteteve të Bashkuara ka lëshuar një paralajmërim të fortë për banorët:
“Ky është një uragan potencialisht vdekjeprurës, me pasoja të ngjashme me ato të uraganeve Maria (2017) dhe Katrina (2005).”
Sipas autoriteteve lokale, tre personat që humbën jetën në Xhamajkë u goditën nga aksidente të ndryshme teksa përgatiteshin për stuhinë, duke prerë degë pemësh ose duke punuar në shkallë për të siguruar shtëpitë.
Kryeministri i Xhamajkës, Andrew Holness, paralajmëroi se dëmet mund të jenë të mëdha, veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit.
“Nuk besoj se ndonjë infrastrukturë në atë rajon mund t’i rezistojë një uragani të Kategorisë 5. U bëj thirrje banorëve të evakuojnë menjëherë zonat më të rrezikuara,” – deklaroi Holness për CNN.
Autoritetet kanë vendosur kufizime të plota lëvizjeje dhe po përgatisin qendra emergjence për strehimin e banorëve, ndërsa ekipet e shpëtimit qëndrojnë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.
