Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me tone të forta për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar atë si një “padrejtësi historike” ndaj luftës çlirimtare.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se është “e tmerrshme të mendosh” që ata që dikur shpëtuan Kosovën po gjykohen sot për lirinë që sollën.
“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga objekti për të cilin u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim…”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare kritikoi ashpër ata që, sipas tij, “urojnë të mos dalë më kurrë prej aty” Hashim Thaçi, duke i quajtur “shqipsharës digjitalë” dhe “tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike”.
Në përmbyllje të reagimit, Rama theksoi se pavarësisht zhvillimeve të sotme, “emri i Hashim Thaçit do të mbetet përgjithmonë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
