Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin “Rubikon”, ka treguar detaje nga marrëveshja e tij me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se kishin arritur dakordim për pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe se madje kishin “cakërruar gotat”.
Limaj tha se para seancës së parë të Kuvendit i kishte thënë Kurtit se tri votat e Nismës i kishte të sigurta, duke sqaruar se nuk ishte i interesuar për të qenë pjesë e qeverisjes.
“Në qeverisje nuk marrë pjesë sepse i kam arsyet e mia. Krejt çka mundem me bë partneritet është në Kuvend. Për qëndrimin tonë e meritoj korrektësinë. Në ditën e dytë, tha se ‘për besë s’kam mendu për këtë, por për qeverisje’. U befasuan për këtë. Të nesërmen e kemi pasur dakordimin gojor dhe i kemi cakërruar gotat. Ai ka mbet me shku me bisedu me grupin parlamentar, unë në mëngjes e kam thirrë kryesinë time”, deklaroi Limaj.
Ai shtoi se Nismës nuk i konvenon të shkojë në zgjedhje dhe se partia e tij nuk ka provokuar zgjedhje të reja.
“Edhe nëse shkojmë në zgjedhje, gajle e madhe. Lehtë është me i mëshu të voglit”, u shpreh Limaj.



