Arian Tahiri, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Mitrovicës, është deklaruar pas nënshkrimit të koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në këtë komunë.
Tahiri me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se ky koalicion është për Mitrovicën dhe mitrovicasit, shkruan Insajderi.
“Sot e vendosëm Mitrovicën mbi dallimet politike që të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë në qytetin tonë. Marrëveshja e koalicionit që nënshkruam me Lidhjen Demokratike të Kosovës është një premtim për qytetin tonë. Është një dëshmi se kur zgjedhim të bashkohemi dhe të veprojmë me një qëllim të përbashkët, Mitrovica gjithmonë fiton”, thuhet në postimin e Tahirit.
“Qyteti ynë ka nevojë për bashkëpunimin dhe energjinë e çdo qytetari, pavarësisht prejardhjes apo bindjeve politike. Ky është koalicion për Mitrovicën dhe mitrovicasit. Ky është koalicioni i fitores! Për ty gjithmonë, Mitrovicë”, përmbyllet shkrimi i Tahirit.
Tahiri do të përballet me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Faton Pecin, në balotazh më 9 nëntor. /Insajderi.org/




