Gazeta Sinjali raportoi dje ekskluzivisht për një ngjarje të rëndë ku një zyrtar i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë është dërguar me urgjencë në QKUK pas plagëve të rënda të marra me mjet të mprehtë.
Sinjali raportoi se ngjarja është evidentuar më 04.11.2025, kur fillimisht në Urgjencën e QKMF-së në Gjakovë është paraqitur një person i plagosur, i cili më pas është transferuar në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” për trajtim të mëtejmë. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai më pas është transportuar në QKUK.
Nga burimet e veta, Sinjali mësoi se personi i plagosur është identifikuar si Stefan Ilianov Sheynov, rreth 49-vjeçar, zyrtar i Zyrës së BE-së, i cili gëzon imunitet diplomatik.
Çka thanë nga QKUK-ja për gjendjen e zyrtarit evropian?
Drejtori i emergjencës, Naser Syla bëri të ditur se gjendja e tij është stabile, sipas së cilit zyrtari “është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për trajtim të mëtutjeshëm”.
Ndërkohë, edhe drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolegci njoftoi se pavarësisht plagëve të marra, gjendja e tij është stabile.
“Lëndimet janë politraumë ka lëndime në kokë, qafë dhe gjoks. Lëndime më të shpeshta që janë lëndimet në kokë, ka edhe një lëndim plagë prerëse-shpuese afër veshit të majtë, gjithashtu i ka edhe dy plagë tjera të vogla në pjesën e përparme të gjoksit dhe ka një frakturë të brinjës së tretë djathtas dhe ka një pneumotoraks, domethënë ka ajër në mushkëri që është sasia e vogël, që është duke u observuar”, ka thënë Kolgeci.
“Pra deri tani nuk kemi pasë nevojë me bë një ndërhyrje kirurgjikale, po pavarësisht gjendja është stabile këtë e observojmë dhe e presim në rast se sasia e ajit që është e futur në mushkëri rritet dhe atëherë është e nevojshme trajnimi kirurgjik. Mirëpo deri tani gjendja është stabile”, tha drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale.
Kolgeci shtoi tutje se të njëjtit i janë kryer të gjitha analizat laboratorike dhe imazherike dhe normalisht që kemi konsultuar edhe kirurgun vaskular, ortopedin dhe ORL, janë fushat domethënë ku pacienti ka pësuar lëndime dhe ka pranuar ndihmë.
Reagimi i Zyrës së BE-së në Kosovë
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ku ka thënë se janë të tronditur nga lajmi se zyrtari i tyre në Gjakovë është therur me thikë.
Zëdhënësi i kësaj zyre, Nikola Gaon, ka thënë se janë duke u zhvilluar hetime nga autoritetet.
“Jemi të shokuar nga ky lajm dhe i dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë. Hetimi është duke u zhvilluar dhe autoritetet po përcaktojnë faktet. Meqenëse është hetim aktiv, nuk jemi në gjendje të japim detaje të mëtejshme në këtë kohë”, ka thënë ai.
Po ashtu, Prokuroria Speciale ka nisur hetime lidhur me rastin.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka deklaruar se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike.
“Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike”, ka deklaruar Luta.
Në rast janë përfshirë njësitë hetimore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.
Hetimet po vazhdojnë.




