Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci ka publikuar një kontratë të punës të vitit 2001, të mandatarit të ri për kryeministër, Glauk Konjufca, i cili sipas kësaj kontrate atë kohë kishte fituar vend në sektorin e përpunimit të të dhënave të Shërbimit Informativ të Kosovës.
Me këtë rast, Geci iu drejtua Partisë Demokratike të Kosovës me një kërkesë, ku teksa ia rikujtoi që sipas tij Konjufca është ‘brum’ i tyre pasi punoi për Veselin, ta votojnë të njëjtin për postin e kryeministrit.
“Kërkoj nga PDK-ja, që për hir të faktit se jeni brum i njëjtë politik nga gjeneza, OMLK-ja (Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës), jepjani votën Glaukut le ta bëjë qeverinë. Glauku ne bazë te letrave kish pasë qenë edhe punëtor i Kadri Veselit edhe i SHIK-ut, e edhe babën e ka pasur anëtar të LPK-së, pastaj të PDK-së, ndoshta edhe anëtar i SHIK-ut ka qenë Sherifi, se disa kanë punuar edhe pa letra në SHIK”, tha ai.
Geci gjithashtu deklaroi se beson që Konjufca në gjenezë është PDK më shumë se Krasniqi.
“Tani s’ka ndonjë të keqe të madhe edhe me e votu Glaukun Kryeminister . Bile, në gjenezë, më shumë PDK është Glauku se Memli”, tha Geci.




