Pas kërkimeve intensive gjatë ditës së djeshme, e edhe natës së mbrëmshme, Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë të dyshuarin, Astrit Isufi, për krimin e rëndë që tronditi gjithë vendin, pasi la të vdekur nga arma e zjarrit dy vëllëzërit e bashkëshortes së tij, Driton Morina e Naim Morina, raporton GazetaDemos.
Me kapjen e tij, në pah kanë dalë edhe detaje të reja rreth rastit. Siç bëhet e ditur në konfirmimin e Policisë, i njëjti u kap në një shtëpi të pabanuar, sot rreth orë 06:30 në fshatin Plloqicë.
Pas arrestimit, është vërejtur se i njëjti është i plagosur me çrast u dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku mori ndihmën e parë mjekësore.
Teksa, për trajtim më të thelluar mjekësor, Isufi u dërgua më pas në Qendrën Klinike Universitre të Kosovës.
Prokuroria bëri të ditur se rreth rastit janë duke u marr veprimet e nevojshme, teksa brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të dyshuarit A.I., do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili më parë kishte qenë në arrati.
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
Brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të dyshuarit A.I., do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.




