Kurti harroi koalicionet e veta, sulmon të tjerat : Çifti PDK-LDK nuk kthehen kurrë më në pushtet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të premten ka bërë fushatë për Artan Abrashin, por më shumë minuta i ka kushtuar fushatës për vete dhe për të sulmuar partitë rivale që lidhën koalicione.

Kurti nuk përmendi koalicionet që i ka lidhur Vetëvendosja në Prizren me AAK-në e me Zafir Berishën, por ka sulmuar PDK-në që lidhi koalicion në këtë qytet. Madje, i ka quajtur edhe çift.

“Nuk keni çka me pa ma mirë prej këtij që keni [Shaqir Totajt], ma keq s’keni nevojë me pa, po keni me pa shumë ma mirë nëse e ndërroni kryetarin”, ka thënë Kurti në nisje të sulmit ndaj partive të tjera.

“Së fundmi në Prizren u bën bashkë edhe një herë PDK dhe LDK. Dikur thoshin se po bëhen me zor për interesa të shtetit, tash po bëhen nga frika prej VV-së. E dëgjuam kryetarin duke thënë se këtu në Prizren po e trasojmë rrugën edhe për koalicion në nivel nacional. Një rikthim i duetit, të çiftit në qeveri qendrore”, ka thënë ai.

“Të dielën e keni një mision të dyfishtë, t’i tregoni Totajt që PDK dhe LDK nuk kthehen në qeveri kurrë në Prishtinë e as nuk vazhdojnë me qeverisje në Prizren”, ka thënë Kurti.