Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Astrit Isufit, të dyshuarit për vrasjen e dy vëllezërve në Golluboc të Malishevës.
Në njoftimin e gjykatës, bëhet e ditur se Isufi po dyshohet për dy vepra penale: Vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, shkruan Insajderi.
“Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit A.I., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes së armës pa leje-autorizim”, thuhet në njoftim.
Gjykata bën të ditur se lënia e të dyshuarit në liri rrezikon që të ndikojë në rrjedhën e procedurës penale, meqë i dyshuari mund të ndikojë tek dëshmitarët ose edhe ta përsërisë veprën penale.
“I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 7 nëntor 2025 dhe do të zgjasë deri më 6 dhjetor 2025”, thuhet në njoftim.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, bën të ditur gjykata




