Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka “ndezur” motorët e patriotizmit në tubimin përmbyllës para raundit të dytë të zgjedhjeve (9 nëntor).
Peci, duke tentuar të rimojë me një gjuhë populiste, tha se është në gjendje edhe të flijohet për qytetin nëse bëhet kryetar i Mitrovicës, shkruan Insajderi.
“Si i pari i Mitrovicës do t’i dalë Zot kësaj toke e kësaj treve, duke i shërbyer me përulësi, e përkushtim dhe nëse është e nevojshme deri në vetëflijim“, deklaroi ai.
Ndër të tjera, Peci përdori gjuhë të vrazhdtë për kundërshtarët politikë, duke e paraqitur partinë e tij si çlirimtare dhe partitë e tjera si tradhtare.
“Fushata ishte e egër në Mitrovicë si asnjëherë më parë në histori, sepse Mitrovica është një betejë, po përplasen trashëgimitë politike. Trashëgimia që kishte angazhimet për zhvillim, sovranitet që nuk ka çmim, as nuk ka kthim dhe, në anën tjetër, kishim pjesën e fushatës së egër të pasuar nga trashëgimia e errët që Ujmanin e shihte të gatshëm ta ndante me Serbinë. Të gatshëm për çdo kompromis, të gatshëm të bëjnë kompromise edhe me Serbi edhe me Rusi. Ata s’janë të gatshëm që Kosova të ketë qeveri, sepse s’kanë probleme me Radoiçiqin dhe Listën Srpska, por problemet i paskan me Albin Kurtin”, deklaroi ndër të tjera ai.




