Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Rozeta Hajdari, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore
Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”.
Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Me këto veprime, katër të pandehurit ngarkohen se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës, në vlerë prej afër 3 milionë euro.
Hajdari me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, duke thënë se u njoftua nga avokati i saj për këtë çështje.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne.
Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media.
Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.




