Vrasja e 37 vjeçarit nga Gjilani- Sot merret vendimi final ndaj dy të akuzuarve

Sot pritet aktgjykimi për rastin e vrasjes tinëzare të Sokol Osmanit në Gjilan

Në Gjykatën Themelore të Gjilanit është paraparë që sot të përmbyllet procesi gjyqësor për rastin e vrasjes së 37-vjeçarit Sokol Osmani, i cili u vra në mënyrë tinëzare në nëntor të vitit 2024 në qytetin e Gjilanit.

Pas disa muajsh seanca gjyqësore dhe dëgjimi të të gjithë dëshmitarëve, sot pritet të shpallet aktgjykimi ndaj dy të pandehurve në këtë rast, Valmir Salihu dhe Florian Mitev, të cilët po mbahen në paraburgim që nga vetëdorëzimi i tyre para autoriteteve pas një periudhe të gjatë kërkimi nga Policia e Kosovës..

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, dëshmitarët kanë dhënë deklaratat e tyre për rrethanat e ngjarjes tragjike që tronditi opinionin publik në nëntor të vitit të kaluar. Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve për vrasje të rëndë, ndërsa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre me arsyetimin se nuk ekziston bazë e mjaftueshme provuese.

Familja Osmani ka qenë e pranishme në seancat kryesore dhe ka kërkuar drejtësi për djalin e tyre të vetëm, Sokol Osmanin, duke theksuar se humbja e tij ka lënë një boshllëk të madh në familje dhe komunitet.

Aktgjykimi pritet të shpallet gjatë ditës së sotme në orën 13:00, pas shqyrtimit përfundimtar të provave dhe deklarimeve nga gjykata.