Pas dorëheqjes si kryetar, ja çfarë roli do të ketë Memli Krasniqi brenda PDK-së

Pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin e tij brenda partisë dhe se nuk do të largohet nga politika aktive.

Në një deklaratë për media, Krasniqi tha se dëshiron të shmangë çdo keqkuptim apo spekulim, duke theksuar se zyrat dhe puna e tij mbeten brenda PDK-së.

“Por, një gjë që me pasë të qartë, që mos me pasë ndonjë spekulim – unë këtu vazhdoj me qenë, edhe zyrat këtu i kam, edhe punën këtu e bëj, edhe angazhimin e kam me i fitu zgjedhjet e me hjek Albin Kurtin prej qeverisë,” deklaroi ai.

Krasniqi shtoi se do të qëndrojë në detyrë deri të hënën si kujdestar i partisë, për të siguruar që procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të zhvillohet pa probleme.

“Normal që do të jem, se më takon me qenë kujdestar dhe me u siguru që procesi të hënën të shkojë si duhet. Besoj që është gjithçka në rregull. I ftoj kolegët dhe anëtarët që i përmbushin kushtet të shprehin vullnetin e tyre, dhe nëse jo, të gjejmë një rrugë të përbashkët me udhëheqësin tonë të ardhshëm,” shtoi ai.

Krasniqi dha dorëheqjen të mërkurën pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, duke e cilësuar vendimin si “hap reflektimi dhe përgjegjësie” për t’i hapur rrugë një fryme të re brenda partisë.