Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, në konferencën e sotme për media ku edhe ka deklaruar dorëheqjen nga pozita e të parit të partisë, ka treguar edhe arsyet se pse e ka marrë një vendim të tillë.
Krasniqi ka thënë se ky vendim vjen si rezultat i një reflektimi të gjatë dhe rrjedh nga një planifikim krejt tjetër. Ai ka treguar se dorëheqjen kishte planifikuar ta jepte më herët, por që si pasojë e dështimit të planit për krijimin e një qeverie, ishte dashur ta shtynte.
“Është një reflektim i gjatë, një planifikim më tjetër. Një vendim që ndoshta do ta merrja më herët, nëse do të kishim stabilitet institucional. Sikur të ndodhte një qeveri që e kishim planifikuar, do t’i shpallja zgjedhjet e partisë dhe s’do të kisha garuar”, ka thënë Krasniqi në konferencë.
Ai ka thënë se dorëheqja lidhet edhe me faktin se do të ketë zgjedhje të reja në vend dhe sipas Krasniqit, kryetari i ri i PDK-së duhet të jetë edhe kandidat për kryeministër.
“Por meqë jemi para zgjedhjeve, duhet ta kemi kandidatin për kryeministër edhe për kryetar”, është shprehur Krasniqi.
Sa i përket rastit të Drenasit, Krasniqi ka thënë se është vetëm një fusnotë në gjithë arsyet që ka përmendur për dorëheqjen.
“Çështja e Drenasit, është çështje që e kam adresuar. Është vetëm një fusnotë në arsyet për të cilat fola”, ka thënë Krasniqi.




