Largimi i papritur i Mentor Hazirit nga shtëpia më e famshme në Kosovë pa u mbushur mirë 24 orë la shumë pikëpyetje, por mbrëmë këngëtari ka thyer heshtjen me një rrëfim rrëqethës që ka prekur zemrat e të gjithëve.
Nuk ishte lojë, nuk ishte strategji, por një tragjedi e rëndë familjare ajo që e detyroi artistin të linte gjithçka në gjysmë.
Përmes një reagimi emocional, Mentori ka zbuluar dramën e madhe që po kalonte në heshtje. Ai ka treguar se vetëm një ditë para se të hynte në shtëpi, ka përcjellë për në banesën e fundit njeriun e tij të dashur, djalin e dajës, trupi i të cilit ishte sjellë nga Amerika.
“Dhimbja ishte shumë e madhe për t’u përballuar. Një ditë para se të hyja, kam varrosur djalin e dajës… një njeri që ka qenë shumë i afërt me mua,” – shkruan Mentori, duke zbuluar peshën e jashtëzakonshme emocionale që mbante mbi supe ndërsa publiku e shihte në ekran.
Artisti tregon se u përpoq të tregohej i fortë dhe ta mbante fjalën e dhënë ndaj produksionit për të hyrë, por gjendja e tij shpirtërore e bëri të pamundur vazhdimin.
“Zemërthyerja ishte më e madhe se sa ky vendim dhe ajo bëri të veten,” pranon ai, duke shtuar se nuk mund të jepte as humor, as këngë dhe as debat, pasi shpirti i tij ishte diku tjetër.
Megjithatë, mes dhimbjes, Mentori ka treguar klasin e tij prej artisti, duke falënderuar produksionin për mirëkuptimin dhe duke i cilësuar banorët si “fantastikë”.
Një largim i detyruar nga lotët e një humbjeje të madhe, që na kujton se mbi çdo spektakël, qëndron jeta reale. /Prive By Liberta Spahiu





