Shkarkohet u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit
Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka shkarkuar nga detyra ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Propozimi për shkarkimin e Kelmendit u votua nga pesë anëtarë të KPK-së, në një mbledhje të mbajtur të enjten, raporton Paparaci.
“Me pesë vota për shkarkohet nga pozita ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, tha pas zhvillimit të votimit, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdari.
Në vend të tij, në pozitën e u.d. të Kryeprokurorit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e caktoi Agron Qalajn.
Qalaj ka shërbyer si zëvendës i u.d. Kryeprokurorit të Shtetit.
Propozimi për shkarkimin e Kelmendit u bë në mbledhjen e sotme nga zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli, e cila kërkoi nga anëtarët të mbështesin këtë propozim pas përfshirjes së u.d. të Kryeprokurorit në një incident rreth të kaluarës së tij.
Kelmendi, i cili të enjten u intervistua nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitarit për rastin e masakrës së Reçakut, e pranoi në një konferencë për media se ka punuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë më 1999, në një periudhë kur vendi sundohej nga regjimi shtypës i Sllobodan Millosheviqit.
