Latifi kritik pas caktimit të datës së zgjedhjeve: Bota feston, ne numërojmë vota, dëshmi se kemi dalë nga binarët

Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, ka reaguar ndaj vendimit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, e cila ka caktuar datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve.

Latifi u shpreh se, në një kohë kur e gjithë bota normale shkon në pushim për festat e fundvitit, Kosova do të shkojë në zgjedhje. Ai shtoi se nata e ndërrimit të motmoteve mund të na gjejë duke numëruar votat dhe, sipas tij, madje edhe duke manipuluar rezultatet.

“Kur e gjithë bota normale dhe e civilizuar shkon në pushim për festat e fundvitit, ne do të shkojmë në zgjedhje, dhe nata e ndërrimit të motmoteve do të na gjejë duke numëruar vota dhe, sipas mundësive, edhe duke manipuluar rezultate,” ka shkruar Latifi.

Ai theksoi se ky zhvillim është një tjetër shenjë se vendi ka dalë jashtë binarëve të normalitetit.

“Kjo është edhe një shenjë tjetër që tregon se kemi dalë jashtë binarëve të normalitetit, dhe derisa ta thyejmë kokën fort diku, nuk kemi për ta marrë vesh këtë”, shtoi ai.