E rëndë: Djali 21-vjeçar e kap për fyti nënën dhe e rrah

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është regjistruar mbrëmjen e 26 dhjetorit 2025 në rrugën “Knjaz Milos” në Mitrovicë të Veriut, ku një djalë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.

Sipas informatave që ka mësuar Sinjali, rreth orës 18:30, viktima B. B, rreth 40-vjeçare ka raportuar se derisa ndodhej në banesën e saj, djali i saj D. B., rreth 21-vjeçar kishte ardhur dhe kishte fjetur. Pas zgjimit, i dyshuari kishte filluar të bërtasë dhe të kërkojë para, ndërsa situata kishte eskaluar në momentin kur viktima ka tentuar të kërkojë ndihmë nga Policia.

Burimet bëjnë me dije se në atë moment, i dyshuari e ka kapur nënën për fyti dhe e ka shtyrë, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim serioz.

Pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime operative dhe kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin. Gjatë testimit me alkool, tek D. B është konstatuar 1.52 promilë alkool në gjak.

Në koordinim me hetuesen për dhunë në familje dhe Prokurorin kujdestar të Shtetit, rasti është iniciuar si “Sulm”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *