Kurti tregon kabinetin e ri qeveritar
Kryeministri në deytër, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në kabinetin e ri qeveritar, por që theksoi se fillimisht duhet pritur certifikimi i plotë i rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, për t’u mbledhur më pas Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje, përcjell Reporteri.net.
“Na duhet të presim certifikimin e plotë të rezultateve. Na duhet një mbledhje në Kryesi të Vetëvendosjes, sepse qartazi propozimet tona i kemi pasur për legjislaturën e nëntë tash të dhjetën kur t’i marrim rezultatet nuk ndryshon programi dhe orientimi. Do të jetë përbërja identike nuk mund ta them dot tash. Edhe nëse është e kërkon një rikonfirmim.. Nuk besoj që mund të ketë ndryshime të mëdha”, tha Kurti.
Duke folur për procesin e zgjedhjes së Presidentit, Kurti ka thënë se kjo çështje vjen pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve.
Ai ka bërë të ditur se paraprakisht pritet të zhvillohet një takim me Presidenten Osmani, për të diskutuar shanset dhe mundësitë, duke theksuar se për këtë proces nevojitet prania e 80 deputetëve në sallë.
“Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit apo presidentes është hapi i tretë. Një herë është konstituimi i Kuvendit, formimi, pastaj vjen dhe ajo. Por para se të bëjmë çfarëdo, besoj se do të kemi një takim me presidenten aktuale Vjosa Osmani dhe do diskutojmë cilat janë shanset dhe mundësitë përpara, sepse na duhet të qëndrojmë 80 veta në sallë. Mund të duket më e lehtë pas rezultatit të 28 dhjetorit”, tha Kurti.
