“U njohën në Snapchat”, dhunimi i 30-vjeçares në Fushë Kosovë dalin detaje të reja

Një rast jashtëzakonisht i rëndë dhunimi është raportuar më 31 dhjetor 2025 në Fushë Kosovë, ku një grua rreth 30 vjeçe ka përjetuar dhunë seksuale dhe keqtrajtim çnjerëzor nga dy persona të dyshuar.

Sipas informatave, viktima A.H. 30 vjeçare ishte njohur me njërin nga të dyshuarit përmes rrjetit social Snapchat, të cilin e njeh vetëm sipas inicialeve L.G. Takimi i parë mes tyre kishte ndodhur fizikisht në pompën e derivateve HIB Petrol, në rrugën e Pejës, në Fushë Kosovë.

Siç raporton Sinjali, pas këtij takimi, viktima kishte pranuar të shkojë me të dyshuarin në motelin “Paris” në Fushë Kosovë. Sipas deklarimit të saj, menjëherë pasi kishin hyrë në dhomë, i dyshuari kishte ftuar edhe një person tjetër të panjohur. Të dy dyshuarit, sipas viktimës, fillimisht i kishin ofruar alkool dhe më pas edhe substanca narkotike, duke e vënë në një gjendje të rëndë fizike dhe psikike.

Në këto rrethana, viktima deklaron se ishte dhunuar seksualisht nga të dy personat. Duke tentuar të shpëtojë, ajo kishte dalë nga dhoma dhe ishte drejtuar drejt garazhit të objektit, por aty ishte kapur sërish nga të dyshuarit, të cilët e kishin futur me forcë në pjesën e pasme të veturës, duke e detyruar të qëndrojë e shtrirë.

Sipas deklarimit, viktima ishte transportuar me veturë drejt një zone malore në afërsi të fshatit Llapushnik, komuna e Drenasit, ku të dyshuarit e kishin nxjerrë nga automjeti dhe e kishin braktisur në gjendje të rëndë shëndetësore, duke u larguar më pas në drejtim të panjohur.

Viktima është hasur më vonë nga njësia e autostradës në afërsi të rrugës së Pejës, pranë HIB Petrol, në gjendje të rënduar, ku ka marrë trajtim të menjëhershëm mjekësor. Pas stabilizimit, ajo ka dhënë deklaratën e saj para organeve kompetente.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e veprës penale “Dhunim”, ndërsa viktima është dërguar për ekzaminime të detajuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Hetimet janë në zhvillim intensiv për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.

Rasti po trajtohet me prioritet të lartë, ndërsa institucionet janë duke ndërmarrë veprime për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *