Abdixhiku deklarohet për çështjen e presidentit, konfirmon votën për “këta kandidat”
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur edhe për çështjen e presidentit, pas takimit që mbajti me “rrethin e ngushtë” të kësaj partie.
Abdixhiku u shpreh i bindur se për këtë pozitë do të ketë shumë kandidatë, teksa shtoi se për t’i marrë 15 votat e kësaj partie, do të nevojitet marrëveshje.
“Në qoftë se dikush dëshiron marrëveshje politike me LDK’në, me LDK’në duhet të bisedojë edhe për çështjen e Presidentit. Ne i kemi 15 vota, ato që janë, nëse dikush dëshiron t’i ketë, duhet të bisedojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kur ulet të flasë me LDK’në, do të flasë për një kandidat që i përfaqëson interest e popullit të Kosovës, jo vetëm interest e një partie”, tha Abdixhiku.
Ai përsëriti që në krye të vendit duhet të jetë një figurë unifikuese.
“Besoj që shumë individë do të shprehin gatishmëri për një pozitë aq fisnike, por se kush e përfaqëson unitetin edhe kush e merr 80 votëshin, kjo mbetet të shihet brenda diskutimeve të partive politike”, tha Abdixhiku./Reporteri.net
