Policia me aksion në veri, arrestohen 3 persona
Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në tri lokale në Zubin Potok, të cilat dyshohen se ishin përdorur për organizimin e lojërave të fatit.
Detaje për aksionin ka dhënë për Sinjalin zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani.
Ai ka treguar se tre nga pesë të dyshuarit po intervistohen nga policia, ndërsa janë marrë në pyetje edhe pesë dëshmitarë.
“Me datën 15.01.2026 njësia e hetimeve e stacionit policor në Zubin Potok, në kuadër të DRP Mitrovicë Veri, ka pranuar një informatë nga rrugët operative se në tri lokale në qytetin e Zubin Potokut po zhvilloheshin veprimtari të kundërligjshme, konkretisht organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Njësia e hetimeve e stacionit policor Zubin Potok, me asistimin e njësive relevante të DRP Mitrovicë Veri, ka kryer bastisjen në të tri lokalet”, deklaroi Elshani.
Ai shtoi se gjatë kontrollit janë gjetur pajisje teknologjike që mundësojnë zhvillimin e lojërave të fatit
“Janë të dyshuar pesë persona, ku tre prej tyre janë duke u intervistuar, ndërsa dy të tjerët nuk janë hasur aty, por janë të njohur për policinë. Po ashtu janë intervistuar edhe pesë dëshmitarë. Është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që të iniciohen tri raste për ‘Organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’, të sanksionuara me nenin 294 të KPRK-së”, përfundoi Elshani.
