“Sot jam detyruar të largohem nga RTK”, edhe një gazetare e RTK-së jep dorëheqje të parevokueshme

Gazetarja Arlinda Sejda ka njoftuar se sot ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga RTK.

Ajo ka bërë me dije se deri të ky vendim ka ardhur me qëllim të mbrojtjes së parmeve të gazetarisë.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se dorëheqja e saj është e parevokueshme.

“Pas një dekade pune, sot jam detyruar të largohem nga RTK, duke dhënë dorëheqje të parevokueshme. Këtë vendim e kam marrë me qëllim të mbrojtjes së parimeve bazë mbi të cilat mbështetet ushtrimi i profesionit të gazetarit. Ai vjen si pasojë e pamundësisë për ta ushtruar profesionin në përputhje me bindjet e mia profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë që ndiej ndaj publikut. Gjatë gjithë karrierës sime kam besuar se gazetaria duhet të mbështetet në verifikimin e fakteve, pavarësinë profesionale dhe interesin publik. Këto parime më kanë udhëhequr në çdo vendim timin dhe mbeten arsyeja pse zgjodha këtë profesion, por edhe pse po e marr këtë vendim sot”, ka shkruar ajo, duke shtuar se me këtë veprim ka ruajtur integritetin e saj.

“Dorëheqja ime është një akt personal dhe profesional, i ndërmarrë për të ruajtur integritetin tim dhe për të qenë në përputhje me ndërgjegjen time profesionale. Falënderoj kolegët me të cilët kam bashkëpunuar ndër vite, si dhe të gjithë qytetarët që më kanë besuar. Besimi im te gazetaria e përgjegjshme, e pavarur dhe e bazuar në fakte mbetet i palëkundur. Besoj se gazetaria e lirë, profesionale dhe e pavarur është themeli i një shoqërie demokratike dhe një vlerë për të cilën ia vlen të qëndrohet me dinjitet”, ka shkruar ajo.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *