Nga rinumërimi, një kandidat për deputetet pothuajse humbet mandatin
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar rinumërimi i 158 vendvotimeve nga 914 vendvotimeve në total. Ky proces që ka filluar qe katër ditë, ka filluar të shpërfaq mospërputhjet e votave të kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politik
Një diferencë prej 231 votash, u regjistrua për Filiz Mustafën, kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, pas rinumërimit të fletëvotimeve në komunën e Dragashit.
231 vota më pak se numërimi fillestar, Mustafës mund t’i kushtojë me humbjen e mandatit të deputetit.
Kjo komunë ishte në mesin e komunave të cilat iu nënshtruan 100% procesit të rinumërimit të fletëvotimeve, pas dyshimeve për manipulim të rezultateve.
Edhe në komunën e Kaçanikut, të gjitha fletëvotimet iu nënshtruan po ashtu rinumërimit të votave.
Dallim në vota u shënua edhe në këtë komunë, ku kandidatit për deputet, Jeton Raka, pas rinumërimit iu zvogëluan votat për gati 100 sosh.
Mirëpo, ky rinumërim nuk ia rrezikon atij postin e deputetit.
Jo vetëm Dragashit dhe Kaçanikut, po iu numërohen për herë të dytë votat.
Edhe disa komuna të tjera po i nënshtrohen këtij procesi në Qendrën për Numërim dhe Rezultate. Procesimi i rinumërimit të tyre nuk ka përfunduar ende.
Sipas të dhënave të KQZ-së të orës 16:00, nga e hëna janë rinumëruar 158 vendvotime nga 914 në total.
Këto u takojnë komunave të Dragashit (57), Deçanit (5), Kaçanikut (44), Gjilanit (13) , Gjakovës (15), Drenasit (7), Istogut (6), Klinës (5) Mitrovicës sw Jugut (3) dhe Fushë Kosovës (3).
Me vendim të KQZ-së, pas dyshimeve për mospërputhje të votave mes kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politike, po rinumërohen 100% e vendvotimeve në 10 komuna, dhe në 28 komuna 10% e vendvotimeve të tyre.
