Sot i jepet lamtumira e fundit 18-vjeçares që vdiq tragjikisht
Ditën e sotme do të përcillet për në banesën e fundit Vikena Greku, 18 vjeçarja e cila humbi jetën tragjikisht në aksidentin e rëndë rrugor të ndodhur mbrëmjen e 15 janarit pranë urës së Dajlanit, në Durrës.
E reja, me origjinë nga fshati Dushnik i Beratit, udhëtonte si pasagjere në automjetin tip BMW X5, që drejtohej nga 26-vjeçari Arbër Xhaxhaj nga Fieri. Sipas Policisë së Durrësit, mjeti po lëvizte me shpejtësi shumë të lartë, rreth 120–130 km/h, në aksin Tiranë–Durrës, kur drejtuesi humbi kontrollin, theu barrierat mbrojtëse dhe “fluturoi” nga mbikalimi i urës së Dajlanit, duke përfunduar poshtë saj, në një hapësirë për tregtimin e luleve.
Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i mjetit ishte në gjendje të dehur; testi i alkoolit shënoi 0.50 mg/l alkool në gjak. Si pasojë e aksidentit humbi jetën 18-vjeçarja Vikena Greku, ndërsa u plagos rëndë drejtuesi i automjetit, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën. Dy persona të tjerë mbetën të lënduar dhe po marrin ndihmë mjekësore.
Ceremonia mortore për viktimën do të zhvillohet sot në mesditë në fshatin Dushnik të Beratit.
Ndërkohë, Arbër Xhaxhaj pritet të dalë sot para Gjykatës së Durrësit për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë. Në gjendje të rëndë psikologjike, ai ka mbërritur i prangosur në ambientet e gjykatës, ku do të zhvillohet seanca përkatëse lidhur me aksidentin fatal.
