Totaj për keqpërdorimin e votave në Prizren: Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar
Kryetari i Prizrenit dhe njëherësh kryetar i degës së PDK-së në këtë komunë, Shaqir Totaj, ka reaguar pas parregullsive të evidentuara gjatë procesit të rinumërimit të votave në Prizren, duke u shprehur i zhgënjyer me situatën.
Në Facebook, Totaj ka shkruar se çdo tentim për tjetërsim të votës përbën cenim të drejtpërdrejtë të vullnetit të lirë të qytetarëve, të demokracisë zgjedhore dhe të vetë demokracisë së brendshme partiake.
Ai ka paralajmëruar se, në cilësinë e kryetarit të degës së PDK-së në Prizren, do të kërkojë përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë për çdo shkelje të konstatuar.
“Çdo tentim për tjetërësim të votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake. Si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona”, ka shkruar Totaj në Facebook.
