Ky është biznesmeni i njohur, i arrestuar për mashtrim me tender
Ragip Zejna është i dyshuari i dytë lidhur me tenderin e dyshimtë për kamionë në vlerë prej afro 400 mijë euro të kompanisë regjionale “Eko Regjioni” nga aksioni i Prokurorisë Speciale i mëngjesit të së hënës.
Zejna është pronar i kompanisë “Dielli Construction”, i cili figuron aksionar i vetëm në këtë kompani. Ai u arrestua nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim dhe Mashtrim në prokurimin publik”, raporton Gazeta Insajderi.
Pos tij, është arrestuar edhe Arbër Gashi, menaxher i Njësisë së “Ekoregjionit” në Prizren, si i dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Gazeta Insajderi raportoi se rasti ka të bëjë lidhur me një tender të dyshimtë, në vlerë prej afro 400 mijë eurove, për blerjen e pesë kamionëve dhe një autofshese.
Tenderi ishte shpallur në mënyrë emergjente. Megjithatë, sipas burimeve përbrenda hetuesisë, këta kamionë s’ishin përdorur fare.
Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë një pushkë automatike AK-47, si dhe para të gatshme.
