Urdhërarresti nga Kosova, pse u arrestua në Tiranë djali i gazetarit Artan Hoxha?
Prokuroria e Shtetit e ka vendosur nën hetim për përfshirje në krim të organizuar djalin e gazetarit nga Tirana, Artan Hoxha.
Geri Hoxha, i moshës rreth 25 vjeçare, është arrestuar të hënën e 19 janarit në Tiranë, në bazë të një urdhërarresti të Policisë së Kosovës.
Urdhri ndërkombëtar për arrestimin e Hoxhës është shpallur nga autoritetet kosovare më 13 janar të këtij viti.
Siç ka bërë të ditur Policia e Shtetit në Shqipëri, Geri Hoxha dyshohet për përfshirje në krim të organizuar në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, raporton Paparaci.
Bashkë me të, Policia e Shtetit ka arrestuar edhe Reando Bibën, një tjetër të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar.
“Në Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve R. B. dhe G. H., banues në Tiranë. Këta dy shtetas ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të UNMIK-ut/Kosovë, më 13.01.2026, ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për këta dy shtetas, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Pjesëmarrje ose organizim i grupit të strukturuar kriminal’, në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore”, tha policia shqiptare në një njoftim për media më 19 janar.
