Zv. Ministri i Kurtit me numër rekord të votave të humbura pas rinumërimit
Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Taulant Kelmendi e ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të hetojë manipulimet e dyshuara në zgjedhje në Komunën e Pejës.
Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit pas rinumërimit ka rezultuar t’i jenë shtuar 955 vota gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit, tha të enjten se e ka vërejtur shtimin e votave të tij.
“Tash, pas rinumërimit, kur rezultati është i pastruar dhe i pakontestueshëm, ndiej obligim të sqaroj dhe mos të lë hije në fitoren tonë”, ka thënë ai.
“Me shumë shqetësim i kam përcjellur zhvillimet gjatë procesit të rinumërimit të votave në Pejë, ku është vërejtur se edhe mua më janë shtuar vota në disa kuti gjatë numërimit. Nuk e di nga kush dhe nuk kam kërkuar nga askush. Prandaj është e papranueshme!”, është shprehur zv/ministri në detyrë.
Kelmendi ka theksuar se ndërhyrja në vullnetin e qytetarëve është veper penale edhe nëse dëshira e dikujt ka qenë për të më ndihmuar.
“Në Komunën e Pejës, votat janë numëruar të fundit dhe ishte e qartë se mbështetja ishte e mjaftueshme për ta fituar mandatin”, ka deklaruar Kelmendi.
