Nafta 1,71 euro, Bajrami: A po e dini që Mimoza ia ka qitë tavanin?
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka publikuar një fotografi të çmimit të naftës në një pompë derivatesh, e cila ka arritur në 1,79 euro për litër. Bajrami ka ironizuar me vendosjen e çmimit tavan nga ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari.
“Apo e shihni çmimin e naftës? A po e dini që Mimoza i’a ka qitë tavanin? Qysh po ju duket ky tavan, poshtë apo lart?”, ka pyetur me ironi Bajrami, shkruan Insajderi.
Bajrami ka thënë se qeveria është dashur ta ulë Tatimin në Vlerë të Shtuar (TVSH) në karburante nga 18 për qind në 8 sosh dhe ta përgjysmojë akcizën në të deri në normalizim të tregut.
“Tutje duke parë çmimin e energjisë, normën e inflacion 6% dhe tash çmimet e naftës deri tani Kabineti Qeveritar është dashur t’i ketë pasur disa takime me të gjitha odat ekonomike te vendit dhe me Shoqatën e Naftarëve për të ju dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, POR këto takime nuk kanë ndodhë sepse po shkojmë në zgjedhje, keshtuqë Kurti po i fërkon duart, se me këto çmime rriten të hyrat buxhetore, e sa më e madhe kriza për familjet në kohën e zgjedhjeve, aq më të vlefshme bëhen 100-shet e buxhetit për blerje votash“, ka deklaruar deputetja e LDK’së.
“Strategjia e Kurtit është ‘varfëro e sundo’, andaj Kurti me gjithë strategjinë e tij të dështuar që 6 vite dhe shpurën e tij duhet të dalin në opozitë“, përmbyll shkrimin ajo.
