15 vjeçari ndërron jetë në orën e edukatës fizike
Një nxënës 15-vjeçar ka ndërruar jetë pas një rasti të ndodhur sot në shkollën e mesme “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Sipas Policisë, më 17.04.2026, rreth orës 15:15, është pranuar informata se në shkollën e mesme “Kuvendi i Arbërit”, në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, një nxënës mashkull 15-vjeçar, në rrethana ende të panjohura, është rrëzuar pa ndjenja në sallën e edukatës fizike.
I njëjti është dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku, sipas mjekut kujdestar, pavarësisht trajtimit mjekësor, ka ndërruar jetë.
Lidhur me rastin janë njoftuar Njësia e Hetimeve e stacionit, hetuesit rajonalë dhe krimteknikët, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Hetimet për rrethanat e ngjarjes janë duke vazhduar.
