Vendoset: Kuvendi mblidhet të enjten dhe të premten
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje, ku është vendosur për seancat e radhës.
Sipas njoftimit të Kuvendit, një seancë do të mbahet të enjten, ndërsa të premten dy të tjera, shkruan Reporteri.net.
Në seancën e së enjtes, që do të mbahet me fillim nga ora 10:00, do të trajtohen pikat e miratuara me shmangie nga afatet procedurale.
Të premten, Kuvendi do të mblidhet fillimusht në orën 10:00, për një seancë në nderim të ish-kongresistit amerikan, mikut të madh të Kosovës, Eliot Engel.
Më pas, nga ora 11:00, do të mbahet seanca plenare.
“Në mbledhjen e sotme Kryesia miratoi Rregulloren për procedurat, masat teknike dhe organizative për sigurinë e të dhënave personale në Kuvendin e Republikës së Kosovës, rekomandimin e Komisionit për Buxhet lidhur me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2027-2029, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj”, thuhet në njoftim./Reporteri.net
