Vazhdon “fshesa” e Ramës, shkarkohet edhe një tjetër drejtor
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vijuar me ndryshime në strukturat drejtuese komunale, duke konfirmuar ristrukturimin e paralajmëruar në disa drejtori, raporton Gazeta Sinjali.
Siç kishte raportuar më herët Sinjali, Drejtori i Transformimit, Gëzim Kastrati, është liruar nga detyra në Komunën e Prishtinës.
Ky vendim vjen në një periudhë tensionesh brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe raporteve të ftohura ndërmjet kryetarit Përparim Rama dhe kryetarit të partisë Lumir Abdixhiku.
Sipas burimeve, ndryshimet në drejtori po shihen si pjesë e një procesi më të gjerë ristrukturimi në komunë.
Në vazhdën e këtyre lëvizjeve, Komuna e Prishtinës ka njoftuar edhe një emërim të ri në një pozitë kyçe.
Zyhrije Pllana është emëruar Drejtoreshë e Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, duke marrë përsipër drejtimin e projekteve zhvillimore në kryeqytet, në një moment kur administrata komunale po kalon nëpër ndryshime të vazhdueshme kadrovike.
Ndërkohë, ish-drejtori Sokol Havolli është falënderuar për punën dhe angazhimin e tij gjatë ushtrimit të kësaj detyre, në një rikonfigurim që po shihet si pjesë e “fshesës” së ndryshimeve në komunë.
Burime pranë institucioneve komunale bëjnë të ditur se këto nuk pritet të jenë lëvizjet e fundit, pasi në ditët në vijim mund të ketë edhe ndryshime të tjera në drejtori, duke thelluar më tej ristrukturimin e brendshëm.
