div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="wp-singular post-template-default single single-post postid-35032 single-format-aside custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog">
“Më jep para për drogë” – 32 vjeçari rrah babanë me shkop në Pejë, pastaj sulmon edhe Policinë

Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur pas mesnate në Pejë, ku një 32-vjeçar dyshohet se sulmoi fizikisht babanë e tij për para, ndërsa më pas, pas arrestimit, goditi edhe një zyrtar policor brenda Stacionit Policor, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Lekë Dukagjini” rreth orës 00:00 të datës 10 maj 2026.

Sipas informatave, Policia kishte intervenuar pas raportimit për dhunë në familje.

Burimet bëjnë të ditur se viktima kishte deklaruar para hetuesve se djali i tij, K. G (33-vjeçar), kishte shkuar në shtëpi dhe kishte kërkuar para për të blerë narkotikë.

Kur babai nuk kishte pasur para për t’i dhënë, situata kishte eskaluar.

Sipas deklarimit të viktimës, i dyshuari fillimisht kishte fikur dritat e shtëpisë dhe më pas kishte nisur ta godiste me shuplaka.

Por dhuna nuk kishte përfunduar aty.

Sinjali mëson se më pas ai kishte marrë edhe një shkop, me të cilin dyshohet se e kishte goditur disa herë babanë e tij.

Për rastin, Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe e ka shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë.

Burimet konfirmojnë se ndaj tij ekzistonte edhe urdhër mbrojtjeje i lëshuar nga Gjykata Themelore – Divizioni Civil, çka bëri që Prokurori të urdhërojë ndalimin e tij për: “Dhunë në familje” dhe “Mospërfillje të gjykatës”.

Por incidenti vazhdoi edhe brenda ambienteve policore.

Sipas informatave, pasi iu dorëzua aktvendimi për ndalim, i dyshuari e grisi kopjen e dokumentit para policëve.

Më pas, gjatë transportimit për në Qendrën e Ndalimit, ai dyshohet se bëri rezistencë aktive dhe në një moment, në korridorin e stacionit policor, e goditi me kokë në pjesën e tëmthit një zyrtar policor.

Pas incidentit të tretë, Prokurori urdhëroi që ndaj tij të shtohet edhe vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”.

I dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *