LDK në Podujevë e propozi Agim Veliun për deputet, vjen reagimi i Abdixhikut
Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si “hap të mbarë” nominimin e Agim Veliut për deputet nga Dega e LDK’së në Podujevë, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se nominimi nga dega është dëgjim i vullnetit të anëtarësisë.
“Falënderoj Degën e Podujevës për unitetin, pjekurinë dhe përgjegjësinë e treguar në këtë moment të madh bashkimi për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nominimi nga dega i ish-kryetarit të saj, Agim Veliut, është dëgjim i vullnetit të anëtarësisë dhe një hap i mbarë në ndërtimin e bashkimit të madh për të cilin jemi angazhuar të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se LDK-ja gjithmonë ka ditur të bëhet më e fortë atëherë kur ka ditur të bëhet bashkë.
“Dhe ky është mesazhi më i mirë që mund t’u japim sot qytetarëve tanë; se mbi çdo dallim, mbi çdo pakënaqësi e mbi çdo periudhë të kaluar, qëndron shtëpia jonë e përbashkët politike, Lidhja Demokratike; dhe përgjegjësia jonë ndaj Republikës”, thuhet në postim.
Veliu u propozua për deputet nga Kryetari i Degës, Ekrem Hyseni./Reporteri.net
