Qeveria ndan 1 milion euro për kuponë ushqimi për familjet në nevojë
Qeveria në detyrë, përveç vendimit për mbështetje të njëhershme nga 100 euro për fëmijët, pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat, në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 1 milion euro për zbatimin e masës 3.4 “kuponë ushqimi” për familjet në nevojë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vendimi lidhet me Pakon e Ringjalljes Ekonomike dhe synon mbështetjen direkte të kategorive sociale.
“Ndarja e mjeteve buxhetore në vlerë prej një milion euro, synon mbështetjen e familjeve në nevojë, përmes masës 3.4 kupon ushqimi në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike”, ka deklaruar Kurti gjatë mbledhjes.
“Mjetet transferohen nga programi i ringjalljes ekonomike në departamentin e skemave sociale dhe do të përdoren për mbulimin e kostove sipas thirrjes së shpallur për përfituesit”, tha Kurti.
Detajet për kriteret dhe mënyrën e përfitimit nga kuponët ushqimorë pritet të sqarohen nga institucionet përgjegjëse.
