E vrau me thikë në fytë, arrestohet i dyshuari
Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur nga therjet me thikë të mërkurën në mbrëmje në Mitrovicë.
Dy viktimat – Erduan dhe Shaban Ibrahimi – janë vëllezër, ndërsa i dyshuari është një person me inicialet A.S.
I dyshuari është arrestuar të enjten në mëngjes, ka bërë të ditur Prokuroria.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen e Romëve.
Rasti është iniciuar si vrasje e rëndë, tha sot Prokuroria Themelore e Mitrovicës në një njoftim për media.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se mbrëmjen e 27 majit 2026, në Lagjen e Romëve në Mitrovicë, ka ndodhur një vrasje e rëndë, ku si pasojë e plagëve të marra në fyt nga një armë e ftohtë – thikë, një person i gjinisë mashkullore ka humbur jetën, ndërsa është plagosur edhe vëllai i tij”, tha Prokuroria.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.
