Vetëvendosje i përgjigjet Ramës: Nuk kemi asnjë rol në protestat në Shqipëri
Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar të jetë duke e mbështetur si subjekt politik protestën që po mbahet në Shqipëri për të 23-tën ditë me radhë.
Por, se këtë po e bëjnë individualisht aktivistët e saj.
Kështu ka bërë me dije, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Enver Dugolli, duke konfirmuar se personalisht është njëri nga ata që po e mbështet revoltën anti-qeveritare në Tiranë.
“Vetëvendosje nuk ka të bëjë asgjë me këtë protestë, thjesht ne, disa aktivistë apo disa njerëz, eksponentë, solidarizohemi me kërkesat e drejta të qytetarëve, shqetësimet e tyre të drejta dhe me kaq mbaron, pra nuk bëhet fjalë që Vetëvendosja nga Kosova apo nga cilado pjesë që ka ndonjë rol të veçantë në këtë protestë”, tha Dugolli.
Kësisoj Dugolli ka kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama që të përmbahet nga komentet ndaj lëvizjes Vetëvendosje, si hisedare e protestës.
“Gjuha e përdorur nga zoti Rama për Vetëvendosjen mendoj që nuk i bën nder as atij, thjesht edhe njëherë po e ripërsëris, ai do të duhej që të komunikonte me qytetarët e revoltuar të Shqipërisë, të Tiranës, të gjitha qyteteve edhe të mërgatës, pra do të duhej ai të komunikonte me ta dhe të jepte llogari, edhe të reflektonte karshi kërkesave të tyre. Nuk ka, s’ka nevojë që të përzihet apo të merret ndonjë shembull i Vetëvendosjes apo ndonjë deklaratë e ndonjë zyrtari të Vetëvendosjes sepse thashë gjithçka ka të bëjë me një solidarizim pra të zyrtarëve të Vetëvendosjes apo të cilitdo subjekt politik që ka të bëjë me solidarizimin me kërkesat që dalin nga kjo protestë, ajo revoltë e qytetarëve”, tha ai.
Dugolli e porositi Ramën që, në vend se të merret me Vetëvendosjen, t’I dëgjoj hallet e qytetarëve që po protestojnë kundër tij.
“Kryeministri Rama do të duhej që të komunikonte me protestuesit, ata që për disa ditë radhazi po mbushin sheshin e Tiranës, rrugët e Tiranës dhe nuk po bëhet aspak Vetëvendosja me këtë protestë, thjesht qytetarët shqiptarë, qytetarët e Shqipërisë, mërgata në veçanti po shprehin revoltë ndaj klasës politike aktuale, prandaj ai do të duhej që të komunikonte me ta dhe të reflektonte karshi kërkesave të tyre”, tha ai.
Në një nga komentet e fundit për protestat, Rama përmendi edhe anëtarë dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar disa prej tyre si të përfshirë në atë që ai e quajti “çorbë dreqërish”. Megjithatë, ai bëri një ndarje mes tyre dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës Albin Kurtin për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish”, shkroi Rama.
Ai i ka kritikuar ashpër të gjithë pjesëmarrësit në protestë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, meqë, sipas tij, ata nuk janë diasporë e Shqipërisë./KP
