Bëhet horë Arian Tahiri, publikoi një status “gabimisht” ku goditet opozita, edhe media që e raportoi e fshiu lajmin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka publikuar për disa minuta në profilin e tij në Facebook një status që dyshohet se ishte menduar të dërgohej privatisht dikujt e jo të bëhej publik.
Në postimin që u fshi shpejt, flitej për interpretimet kushtetuese rreth zgjedhjes së Presidentit dhe formimit të institucioneve, duke sulmuar opozitën, juristë të caktuar dhe duke përmendur edhe emrin e Enver Hasanit.
Këtë status e kishte publikuar dje influenceri Drin Zatriqi i cili jeton në ShBA ku përmes këtij statusi ka pretenduar skenarin e opozitës për zgjedhjen e presidentit.

Si duket kjo gjë i kishte bërë përshtypje deputetit të PDK-së Arian Tahiri dhe duke tentuar të ja dërgoj dikujt padashur e ka publikuar në facebookun e tij.

Ajo që e bëri edhe më interesante situatën është fakti se publikimi i Tahirit u raportua fillimisht nga media vendore Gazeta Blic, e cila publikoi lajmin me fotografi dhe titull përkatës. Mirëpo, pak më vonë, edhe vetë lajmi i Gazetës Blic u largua nga faqja e mediumit, duke bërë që linku të rezultojë me mesazhin “Page not found”.

Ky zhvillim ka nxitur reagime dhe komente në rrjete sociale për ndikimin që partitë politike, e veçanërisht PDK-ja, vazhdojnë të kenë në një pjesë të mediave në Kosovë. Fshirja e postimit nga deputeti dhe më pas largimi i lajmit nga mediumi që e raportoi, tregon shembullin e ndërhyrjes politike në raportimin mediatik.
Deri tani nuk ka pasur ndonjë sqarim publik nga Tahiri apo nga Gazeta Blic për arsyen e fshirjes së postimit dhe lajmit.
