Tragjike: Humb jetën një zyrtar i Policisë së Kosovës pasi u godit nga një veturë në Morinë
Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Pikën Kufitare në Morinë, ku ka humbur jetën zyrtari i Policisë së Kosovës, Rexhep Zenel Gashi.
Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familjarët përmes një njoftimi në rrjetet sociale. Sipas informacioneve të para, Gashi ndodhej në vendin e punës dhe kishte dalë për pak çaste jashtë objektit, kur u godit nga një veturë.
I ndjeri ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Familjarët kanë bërë të ditur se për kohën dhe vendin e ceremonisë së varrimit do të njoftojnë në ditët në vijim.
Ndërkohë, rrethanat e aksidentit pritet të sqarohen nga autoritetet kompetente përmes hetimeve.
“Me pikëllim të thellë ju njoftoj se sot, në orët e para të mëngjesit, në vendin e punës, në Pikën Kufitare në Morinë, si pasojë e një aksidenti tragjik trafiku, ndërroi jetë kushëriri im, Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas informatave të para, ai kishte dalë për të marrë ajër të pastër kur u godit nga një veturë. Për kohën e ceremonisë së varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e familjarëve
