Paralajmërimi i Hotit në ditën e kuvendit ku do të vendoset fati i Abdixhikut

E enjtja, 30 korrik, konsiderohet “Dita D” për të ardhmen politike të LDK-së, pasi Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë pritet të marrë vendime vendimtare për rrugën përpara.

Para nisjes së punimeve të kuvendit, ish-kryeministri Avdullah Hoti paralajmëroi se pas kuvendit të jashtëzakonshëm, LDK-ja do të rikthehet forcë kryesore politike në Kosovë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike tha se të gjithë do t’i nënshtrohen vendimeve të kuvendit.

“Nga ky Kuvend do të dalim më të fortë për ta kthyer LDK-në si forcën kryesore politike në Kosovë”, tha Hoti. “Vetëm një LDK e fortë mund t’i shërbejë Kosovës. Një LDK e dobët është në interes vetëm të kundërshtarëve politikë, që duan një skenë politike pa alternativë”.

“Kuvendi do të zhvillohet në frymë demokratike, të debatit të hapur e të respektit të secilit për secilin. Në këtë Kuvend fitues do të jetë LDK-ja. Sepse Kuvendi nuk është kundër askujt. Kuvendi është thirrur për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e LDK-së”, deklaroi ai.

Sipas Hotit, anëtarësia dhe struktura e LDK-së do të dalë e unifikuar pas kuvendit.

“Vullnetit të Kuvendit do t’i nënshtrohemi të gjithë, pa përjashtim. Nga Kuvendi do të dalim të bashkuar për të ardhmen e LDK-së dhe të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së do të fillojë sot në orën 18:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *